AKTORI DHE PERSONAZHI | BEP SHIROKA “FANATIKU” DHE “XHANDARI” I EKRANIT!

0
1485

AKTORI DHE PERSONAZHI | BEP SHIROKA “FANATIKU” DHE “XHANDARI” I EKRANIT!

Artisti i madh Bep Shiroka si të gjithë fëmijët e tjere, edhe ai e ka filluar me ato shfaqjet fëmijërore të mëhallës. “Foleza” e parë ka qenë bodrumi i shtëpisë. Mesuesi i tij i pare ka qene Lec Sekuj i cili me vone kur Bepi ishte ne klasen e trete, do ta aktivizoj ate me nje drame te kendeshme dhe edukative sic ishte “Rrugaçat e penduem”. Më pas rruga e tije do te vazhdoje me recitime e me interpretime pjesësh teatrale. Më 1945 luan në dramën “Lufta e Tiranës” të S. Vaqarit, të cilën e vuri në skenë Shtëpia e Pionierit.

Impenjohet edhe në rrethin e pikturës, në korin e fëmijëve, në cdo gje artistike, mbase duke u nisur edhe nga natyra e tij kureshtare. Akoma me pas aktivizohet në grupin teatral të Shtëpisë së Kulturës. Ka bashkëpunuar fillimisht me Teufik Dukën, më pas me Andrea Skanjetin, si regjisorë, për një kohë të shkurtër edhe me artistin Preng Lëkunda. Te gjitha keto pa patur mendimin te merrej me aktrim ose te behej pjese e teatrit edhe pse dalëngadalë, në mënyrë të pakuptuar, erdhi e u poq dëshira për të parë shfaqje te tilla pa munguar asnjëherë.

Faktikisht, deshira me kryesore, që do të ishte rruga e tij sikur të mos kishte bërë dredha, ka qenë piktura te cilen e ka zoteruar gjate gjithe jetes se tij! Eshte edhe nje kuriozitet se, Bep Shiroka ishte pranuar si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve si piktor dhe jo si aktor! Sic e ka thene edhe vete ai, “si aktor erdha nga rruga”!
Atëherë, punonte në NTLUS.

Një ditë të bukur pranvere, po bënte xhiro (traditë kjo e shkodranëve) në pjacën e qytetit, kur regjisori Andrea Skanjeti i propozon “Bep, si do të ishte që të vije të punoje në teatër?” – “Kush, unë…?! Pse mendon që e bëj këtë punë?!” – “Ti hajde njëherë, e provoje…!”
Pasi caktuan një ditë dhe një orë, para jurisë Bepi reciton një poezi, kryen një etyd ashut simbas tije dhe si mbyllje tregone një barcoletë, nga ato me humor fin shkodran. Me siguri duhet të kenë mbetur të kënaqur, se pas dy ditësh vjen e kërkon korrieri i Shtëpisë së Kulturës. Cufi, ai qe shkodranet e therritnin “Cuf kultura” në qytet. Ishte viti 1960 kur behet pjese e teatrit profesionist të qytetit

Por le te kthehemi tek dy personazhet qe misheroi ai dhe qe kane mbetur ne historine e kinemase.

SHIKO VIDEON NE ROLET E "FANATIKUT" DHE "XHANDARIT"
 

Shkodrës natyrisht nuk i kanë munguar humori dhe humoristët. Të qeshurën shkodrani e merr me qumështin e nënës. E theksojme qe Bep Shiroka lindi dhe u rrite në një shtëpi që bëhej humor. Eshte i biri i Kolë Shirokës, i njohur, në Shkodër, për humor e Karnavalet dhe nipi i Filip Daisë, i përmendur për barcoletat e famshme shkodrane. Vetë nëna e Bepit pat thënë: “Në kët’ shpi vetëm qeshet”. Kështu eshte rritur ai në ambient humori dhe patjetër që ka fituar diçka. Megjithate vete aktori Bep Shiroka nuk e ka futur asnjehere veten ne zhanrin e humoti apo te komedise, atij i pelqenin me shume rolet dramatike.

Gjithsesi, do te jete pikerisht humori i babës se tije që do ta ndihmoje të ndërtoj figurën e xhandarit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Komedia e parë që e kaloi “provimin” me sukses ka qenë “Çifti i lumtur” i Bik Pepës, e cila mban nje histori ne vetvete. Fillimisht ishte skeç. Sapo e shikon mjeshtri i madh i humorit, Artisti i Popullit, Tano Banushi, thote qe kjo duhet te behet komedi. Autori i padiskutueshem dhe “babai” i kesaj pjese Ludovik Pepa nuk heziton.

Te gjithe i pervishen punes me zell dhe pa u lodhur me në krye regjisorin dhe aktorin e talentuar Serafin Fanko, i cili, i le të “lirë”. Pothuajse çdo ditë aktoret dhe stafi i caktuar bënin humor më përpara me njëri-tjetrin, se sa të fillonte puna për komedinë. “Qit e prit” batuta, sa nga protagonisti i rolit te “fanatikut” Bep Shirokes aq edhe nga “halla” Vitore Nino apo edhe nga Nefail Piraniqi ne rolin e dhenderrit, nga Marie Qyrsaqi si vajza etj.

Pastaj vinte seleksionimi artistik, dhe çfarë mbetej me vlerë bëhej mish i komedisë. Shfaqja mban premieren me 14 dhjetor 1974 ne skenen e teatrit “Migjeni”. Jehona e suksesit ra në veshin e aktorit te madh Ndrekë Luca e më vonë drejtuesve te Kinostudios “Shqiperia e re” qe kane sugjerimin e tyre të bëhej edhe film. Edhe ne film rolin kryesor te “fanatikut” e interpreton Artisti i merituar Bep Shiroka i cili gjithnje ka menduar duke thene qe: “më duket se nuk ka dalë shumë filmik, sikur është pakëz i ngurtë, mbase i besuan shumë komedisë nga që ishte e gatshme”.

Ndersa per rolin e arritur, ai do te vazhdoje keshtu: “Jam përpjekur me dhanë shkodranin, jo për fajin e atij “Fanatiku”, po për fajin e kohës që kaloi, që jo pak kanë pasur dy fytyra: një në shtëpi, një në punë. Pra, si bazë ka qenë njeriu me dy fytyra. Nga shkrimet që kam lexuar në shtyp, interpretimi im në dhënien e kësaj figure është pritur mirë. Siç duket ka tërhequr vëmendje”.

Duhet permendur gjithashtu se vete artisti Bep Shiroka ka patur fatin që komedisë në fjalë t`i beje dekorin. Kështu që shtëpinë e Fanatikut e realizon me musandër shkodrane. Shtëpitë siluetë, kurse musandrën realiste, butafori e vërtetë. Kjo ishte për komedinë që e vendosi në skenë teatri “Migjeni”. Kur u bë film, dekori, kostumografia u be me rrobat, orenditë dhe mobiliet e shtëpive te aktoreve. Biles mori pjesë edhe kanarina e dashur e vete Bepit, që në film pati fatin e keq që në një moment xhirimi u rrëzua dhe vdiq! “U bë theror për filmin. Mua m’u dhimbs…” (B. Shiroka)

Foto galeri nga roli i "fanatikut" ne Cifti i lumtur"
 
  
  
  
  
  
  

Para se të kalojmë tek personazhi i “xhandarit” ne filmin “Koncert në vitin 1936”, edhe një mendim për figurën e hallës, me të cilën “fanatiku” dialogon gjatë shumë sekuencave të filmit, dhe që u interpretua me mjeshtri nga aktorja Vitore Nino, Artiste e Merituar, një aktore brilante. Asaj i buronte humori me të gjitha ngjyrat. I buronte në mënyrë krejt të natyrshme, pa u sforcuar. Ne origjinalitetin e saj, “halla” i kishte shoqet e vecanta…


Për rolin e “xhandarit” puna ndryshon. Nuk ka ndodhur si te “Çifti i lumtur”. Ishte i ndërtuar me skenar, skenar për filmin. Pra, kishte të tjera hapësira. Rolet ishin të ndërtuara jo si në teatër. Regjisori Kumbaro i dërgon skenarin me shënimin: “Bep, zgjidh, kë të duash rol”. Dhe Bepit i pëlqen roli i xhandarit, te cilin e punon me shumë dëshirë. Mbase ndikoi dhe grupi i mrekullueshëm i filmit si Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Roland Trebicka… të gjithë, të gjithë deri të banori i fundit i Libohovës.

Edhe ata e ndjenin veten pjesëtarë të këtij filmi. Ndoshta per vete Bepin është i vetmi film që ka kaluar shumë mirë, ndonëse ka luajtur ne 20 te tille artistike.

Në këtë film luan pra rolin e një xhandari, që kujton se është gjithçka e s’është asgjë. Ky lloj tipi shkon pas prefektit, pas kryetarit të Bashkisë, pas gjithë nëpunësve, merret me mbytjen e qenve, me vendosjen e afisheve, pra merret me të gjitha, bërtet në kupë të qiellit kot së koti, por askush nuk i vë vesh. Pastaj kur është fjala për detaje, ka parasysh disa persona të caktuar, p.sh. kur godet me shufër të gjatë, ka parasysh një punonjës në teatër, që kur bënim shfaqje për fëmijë mbante një thupër të gjatë. Hipte në gropë të orkestrës, tundte me nervozizëm thuprën. S’i linte fëmijët as të qeshnin, edhe kur ishte skena për të qeshur.

Foto galeri nga roli i xhandarit ne filmin "Koncert ne vitin `36"
  
  
 

 

Po, ai interpretoi ne 20 filma te tjere nga te cilet pëlqeu, “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 1936”, biles dhe “Historiani dhe kameleoni” qe pati fatin e keq ne vetvete si film. Dhe odiseja e tij fillon, kur i presin 600 m shirit filmik. Ia prenë, e me pas nuk ditën çka ngjitën e ku i ngjitën pjeset. Më pas therrasin Bepin dhe aktoret edhe njehere mbas 6 muajsh për të xhiruar disa skena të tjera, por filmi u shkatërrua.
Bep Shiroka pervec aktor ai njihet edhe si skenograf madje duke zene nje vend te rendesishem ne jeten e tij

Ai gjithnjë kur ka marrë rolin e një drame, atë e ka parë me dekor, edhe kur s’ka qenë skenograf i asaj shfaqjeje. Dekorin e ndertonte me fantazine e tije. Përpjekja e parë për të ndërtuar një dekor ka qenë drama “Zekthi” i E. Vojniç-it. Me aftësitë e tija realizon 12 tablotë e kësaj drame. Pastaj Artisti i merituar ka punuar plot 30 skenografi ku nder to “Fisheku në pajë” të Fadil Krajës, të komedisë “Çifti i lumtur” të B. Pepës.

SHIKO VIDEON 
 

Por mbi te gjitha krahas aktrimit dhe skenografise Bep Shiroka nuk u nda asnjehere piktures, sic e ka theksuar edhe ai vete: “Është si puna e gjuajtjes së peshkut, mikrob i vjetër kjo piktura. Kur shkonim në turne, me vete merrja dhe kasetën me ngjyra. Një peizazh, një portret, një skicë-ide, një kompozim… kanë qenë kënaqësi të veçanta për mua! Kam marrë pjesë në ndonjë ekspozitë kombëtare. Për 25 vjet rresht kam qenë amator i rregullt i ekspozitave lokale. Piktura ka qenë dashuria ime e parë…”
____________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Marre nga intervista e vete aktorit kohe me pare dhe botuar ne librin “Kujtesa e nje qyteti” / albas 2019 / Xh. Bushati / f.52-74. Pershtatur per faqen “Kinematografia Shqiptare ne formen e nje artikull ne 25 shtator 2020. @Autoresia e shkrimit eshte teresisht e z. Xhahid Bushati.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply