Ata nuk vdesin | Duke kujtuar çiftin e mrekullueshmën Dhamo!

0
609

Ata nuk vdesin
Keshtu titullohet nje shkrim i z. Miho Gjini, pedagogut te Akademise se Arteve, Kritikut te Artit dhe Mjeshtrit te madh, ne kujtim te ciftit Kristaq dhe Dhorka Dhamo

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Ata ishin profesorët e mi, me të vërtetë të “pavdekshëm” dhe unë nuk mund të iki nga kjo botë, pa i kujtuar edhe ata! Kjo ndodh, e s’ka si mos të ndodh, kur “lumenjtë rrjedhin”, në heshtje a me oshëtima, e brigjet mbeten për jetë të jetëve, po aty, edhe pse “kjo palo jetë” , herët a von të merr, ashtu si pa u kuptuar…Duke lënur pas, një “fllad të pavdekshëm” arti: Kristaqi në Kinematografi e Dhorka në studimin e “Artit Mesjetar”…Të ëmbël që të dy, të bukur, të mënçur dhe tepër të thjeshtë, si vet natyra e mrekullueshme që na rethon e që shpesh nuk arrijmë dot as ta arrijmë e as ta kuptojmë atë menjëherë….

Kristaqi
Kristaq Dhamo (lindur në Myzeqe në vitin 1933), kishte kryer shkëlqyer “Liceun Artistik” të Tiranës, – i pari regjisor i filmit të parë artistik shqiptar dhe unë jam i lumtur, ndofta i vetmi që po e kujtoj pikërisht tani, në gushtin e këtij viti fort të nxehtë, në 90 vjetorin e lindjes, Drejtorin e parë të “Studjos së Filmit Shqiptar”, si edhe Udhëheqësin Artistik të “Kinostudjos “Shqipëria e Re”, në dy periudha të rëndësishme, kur qe tepër e vështirë, të merreshe e të bëje “ARTIN E PASTËRT”!
Njëherësh: regjisor, dramaturg, kritik, pedagog dhe, mbi të gjitha këto:
NJERI ME KARAKTER!

Përfundoi studimet e larta në Institutin Kinematografik të Budapestit (Hungari), afërsisht në atë kohë kur ne sapo fillonim studimet tona të larta në vëndin tonë, në vitit 1959 (për Teatër e kinematgrafi) dhe kishim nderin të shihnim premjerën e filmit të tij të parë dokumentar :”Ne u dashuruam me Shqipërinë”, të entuziasmuar nga mjeshtëria artistike e me “bardhësinë e shpirtit”. E shihnim me adhurim, Kristaq Dhamon, pasi kishim parë një vit më përpara, filmin e tij të parë artistik në vëndin tonë, “TANA” me aktorët më të mirë, me tre “Artistët e Popullit”: Tinka Kurtin, Naim Frashërin e Kadri Roshin në epiqendër, që vërtetë i përgjigjej kërkesave politike të asaj kohe, porse, seç përmbante edhe “një jetë të virgjër”, ku hynte jeta reale shqiptare, e zbritur nga malet, si edhe emancipimi i femrës, dashuria që lind (së toku me xhelozinë!), ashtu “shkarazi” edhe puthja e parë, “tepër e rezikshme dhe e ndaluar”, për atë trysni çensure e periudhë tmerri për të gjithë ne(!) dhe që, 64 vjet më pas, po ky film (i restauruar) do të gjente ekranin e duhur për tu rishfaqur në Festivalin Botëror të Kanës (Francë). Bile edhe i mirëpritur aty! Si vepër me vlerë e një kineasti prej një vëndi të mënjanuar nge epidemia e komunizmit…

U ndje kështu dora e një mjeshtri artist që do të realizonte edhe 13 filma të tjerë artistik e dokumentar, me një kamer të sigurt, profesionale, për nga këndvështrimi kurdoherë i përzgjedhur me shije e i bukur për syrin, në atë kohë të errët, kur qe i detyruar të planizonte edhe filma të tillë “të misionit të propogandës”, si të thuash:për mbijetesën e tij. Duke qënur përherë i qeshur nga jasht po i brengosur nga brënda vehtes…

Pas vitit 1965, ku unë punoja në Dikasterin Kulturor, si Inspektor i Përgjithshëm i Teatrove dhe Estradave të Republikës,-ish profesori im i “Njohurive Kinematografike”, do të vinte shumë herë tek kolegu im i zyrës, Niko Koleka, që mbulonte (si inspektor edhe ai), sektorin e filmit dhe do të shihja sesi e priti ai atë orjentim që “vinte nga lartë”, kur Partia kërkonte që të bëheshin jo më një film si “Tana” e tij, as dy e tri në vit, po 14 filma të tillë. Ishin shokë t vjetër. Njerin e kishin dërguar në Budapest e tjetrin në Pragë. Që të mësonin në dy vënde komuniste të lindjes, sa më largë borgjezisë!

Kishim shtangur që të tre! Kristaqi do të errej në fytyrë, do të hiqte syzet nga balli e do fërkonte djersët. “E pamundur!”,-tha ai..”Ështe orjentim andeja”,-i tha Nikoja, duke ngritur dorën nga tavani. Dhe nuk gjente fjalë tjetër as ai , as ky e as unë, që duhej të mendoja po të njëjtat “kërkesa absurde” edhe për 6 teatrot profesioniste e 15 estradat e rretheve, që kërkonin një repertor të pashtershëm (me 24 premjera teatrot dhe me 60 estradat) e të “kthehehin” në “gazeta folëse të partisë,-sikundër kishin filluar që t’i quanin nga “Kupola e Shtetit”!”. Arti po vithisej e po degradonte hapur!

Ra heshtja , si në “ksodhë!” Ndodheshim para një “urdhëri”! Dhe që, më pastaj, edhe ne, edhe artistët, do të prisnim plot frikë se ç’farë do të shoshnin ata, ”shokët e partisë”!
U shfaq fantazma e “ÇENZURËS”!

Ca më tepër që ish studentin e Institiutit Kinematografik të Pragës, Niko Kolekën, sapo e kishin kthyer mbrapsh “për ndikime borgjezo-revizioniste!”, si një student të pabindur e libereal që kishte “guxuar të linte mjekër!”.

Dhe, pasi amabsadori ynë në Çeki, e kishte thirrë në zyrë dhe i kishte hequr vëmëndjen për pamjen”jo dinjitoze”, Nikoja i ishte kthyer me atë përgjigjen e tij proverbiale se: “nuk besonte që mjekra e tij do të sabotonte ndërtimin e socializmit në Shqipëri!”, për tu bërë kështu edhe ai një “kartë postale” drejt Tiranës! Dhe do të vinte shpesh , për të parë të vëllan’ e shqetsuar, në zyrën tonë të mjerë edhe e motra, Aneta e mirë dhe e merakosur…

Përballë ne të treve që u ndodhëm në të njëjtën zyrë të së djeshmes, u ndje e ashpër “përplasja e një dallge të nxehtë”. Gjer atëhere vetë Nikoja kishte shkruar skenarin e filmit “Debatiku”, Kristaqi 4 skenare (“Tana”,”Ansambli i këgëve dhe valleve”,”Vitet e Para”,-sipas romanit të Fatmir Gjatës dhe “Miqësi Revolucionare”, ndërsa unë kisha shkruar dy komedi të plota, tre komedi me një akt, si edhe nje dramë për fëmijë, (kjo e fundit e filmuar, me pionerët e Tiranës), ndërsa të tjerat të vëna në skenë).

Që skena dhe ekrani “i gëlltisnin si “LUBI””e nuk ngopeshin! Po skenare filmi, e vepra dramatike, sa kërkoheshin nga lartë me “urdhër të prerë”, kaq të shumta në numër, qe e pamundur të siguroheshin , kur dramaturgët e skenaristët tanë, vinin nga levizja amatore , apo krijoheshin spontanisht, sipas dëshirave të tyre subjektive..

Nja dy-tre që shkruanin nga “këto gjëra”, kishin edhe “frikën në palcë” se mos e pësonin, nga të tjerë “ustallarë” që ndodheshin mbi ne të tre! Qe koha kur kjo “kërkesë alogjike”m u degradua në inskenimet e ekranizimet e dobëta, të ashtuquajtura “dokumentare”, për t’iu përgjigjur realitetit politikë “flakë për flakë”, sikundër bënte thirrje vetë Enveri!

Ish profesori im Kristaq Dhamo u zbeh. Nuk e kishte më atë “energji djaloshare” edhe më pastaj , kur errdhi tek ne, në klasën e studentëve të parë të aktrimit, si bashkëregjisor me rusin Ozerov që do xhironin filmin “FURTUNA” dhe Kristaqi do të zgjidhte aktorët e përshtatshëm në rolet e skenarit dhe mori vetëm shoqen tonë të klasës Filika Dimo, ndërsa për personazhin kryesor, zgjodhi një djalosh të hedhur e të bukur, Mario Ashikun nga Instituti i Fiskulturës, i cili me përfundimin e filmit, do të shtonte numurin e studentëve tanë të aktrimit, si njeri nga artistët e pedagogët e arrdhshëm në Institutin e Arteve. Megjithatë, Kristaq Dhamo, nuk mund të delte mbi platformën e regjisorit Sovjetik që ishte orjentuar të bënte e të paraqeste “një film epope!”, ku të futeshin të gjitha luftrat, pa qënur e mundur që të shpëtonte as nga patetizmi i njohur rus!

Krijimtaria e një artisti , është e njëllojtë me gjuhën dhe fjalën. Po ta “prenë gjuhën”, qoftë edhe “lirinë e fjalës”, shkon gjithëçka drejt tharrjes, dështimit , po edhe drejt vdekjes krijimtaria, pse jo, edhe vetë artisti. Të kësaj periudhe do të “realizoheshin” prej këtij regjisori edhe filmat “Vitet e para” (1966), për tharjen e kënetës së Maliit e “ndeshkimin e sabotatoreve”, midis të cilëve kishte njerëz të ndershëm e të devotshëm! Apo “Ata nuk vdesin” (1966), “Miqësi revolucionare”(1967), “Mëngjeze lufte”(1971) ,”Brazdat” (1973), “Nga mesi i errësirës”( 1978), me frrymë partiake që të gjitha, kur regjisori për të cilin po flasim, mundohej të bëhej “bashk- skenarist” e të fuste disa linja jete të pashmangshme, si edhe episode njerëzore nga realiteti i zymtë e figura personazhesh, të besueshme, për ta bërë filmin sa më të ekuilibruar e të pranueshm nga ana e publikut, që të mos e pësonte edhe ai, si me “mjekrën e Nikos”, e as me “jetën e pushkatuar” të regjisorit Viktor Stratobërdha, (bashk-regjisor i filmit”Skëndërbeu”) që u internua e u burgos vetëm për 4 minuta film, që bëri më pastaj, jashtë “linjës së vijave të bardha”.

Dhe do shtohej”konformizmi” i Kristaqit akoma, me filmin “Vendimi” (1984), një film totalisht i imponuar nga lartë…Në këto filma Regjisori Dhamo, nuk dilte dot nga “brazdat partiake”, të paktën të shpehte diçka edhe nga bota e njeriut të asaj kohe, tek ngushtohej jeta e merrte tatëpjetën shoqëria shqiptare në atë asfiksi letargjike, kur “arma e kritikës lejohej vetëm e intonuar e me pikatore, ideologjikisht , me synimin e “ripërtërritjes së njeriut” e jo drejt “denigrimit” të tij. Ndersa filmi “Qortimet e Vjeshtës, do të kishte një përcjellje më dinjitoze e të besueshme, në skenarinn e shkruar nga vet regjisori, nëpërmjet figurës simpatike të Qemal Stafës (ndonse i personifikuar në një tjetër emër!) që do të binte viktimë i idealevetë të tij të shenjtëruara, po edhe në saj të një trajtimi më realist të figurës se heroit prej regjisorit në fjalë e sidomos nga aktori Kastriot Çaushi që aq shumë ngjante edhe fizikisht me heroin e tradhëtuar!

“Tashmë duhet të pranojmë edhe një të vërtetë tjetër,-shkruante Kristaq Dhamo , i alarmuar nga realiteti e kërkesat strikte partiake,-të cilën edhe pse e dinim, nuk na lejohej ta pohonim. Është Kinofejtoni i Viktor Stratobërdhës, ose thjesht tre episodet e cunguara që kanë mbetur!”

E megjithaatë, në këndvështrimin e publikut e studjuesve të të dy epokave shoqërore, figura e regjisorit KRSTAQ DHAMO është njera nga më të dashurat, ndofta edhe nga që u është shmangur, sa ka mudur më shume banaliteteve, amatorizmava teatrale (të papranueshme nga ekrani), retorikës deklamative, imazheve të përsëritura e klisheve, sloganeve të drejtpërdrejta dhe tepërimeve…

Për të arrdhur tek filmi i tij “Botë e Padukshme”, ku Kristaq Dhamo është VETVETJA dhe ka meritën e lartë që të shpalos në kinematografinë tonë zhgënjimin, nga manipulimi i dikurshëm i karakterit të njeriut, kur ndershmëria “varrosej” nga propoganda dhe cmira dhe reflektimi ndërgjegjësor i individit ,“mbytet” e vihet në “ballancën e kotësisë”, nëpërmje kontrastesh bardhë e zi, të vërtetash të dhimbshme.

Këtë herë nga ana e Shkencës së Mjeksisë, po që ndjehet si “operim pa narkozë “ nga mbarë shoqëria jonë. Nje “kambanë alarmi”, kundra egoizmit e mbytjes së inisiativës e ndershmërisë njerëzore, si mesazh humanizmi, kur jetë-vdekja janë pranë e pranë, kudo të pranishme e kur aktorë kalibri si Robert Ndrenika, Roza Anagnosti e Eva Alikaj “ta japin në pëllëmb të dorës”, atë qe quhet ”BOTA E PADUKSHME E NJERIUT”.

Mjaftonte (për mua!), kjo vepër kinematografike që Kristaq Dhamo, t’i kishte hak të gjitha vlerat, nderet e titujt (si “Nder i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”). A nuk ishte e mbeti i MADH Ezejnshtejni Rus me filmin e tij të vetëm “Karocata Potemkin”?.

Po madhështia e Servantesit si shkrimtar Spanjoll, me veprën e tij të vetme”Don Kishoti i Mançes”?!

Dhorka
Edhe Zysh Dhorkën e imtë si Flutur e pata mësuese, të një arti që nuk mendoja se egzistonte: Artit Mesjetar…Ja që Arti i skenës dhe i kinematografisë, sikundër po e mësonim nga profesorët tanë të ditur e të diplomuar jashtë shtetit, ishin sinteza unike të të gjitha arteve të krijuara më parë.

Dhe shpesh Dhorka vinte së toku me Kristaqin në oborin e Teatrit Popullor (ku e kishim edhe shkollën), thuajse të një moshe e shtati. E menjëherë do ta mësonim se ata ishin bashkëshort të rrallë, të bukur e të përkorë, më një etikë shëmbëllore.
Na dukej sikur Dhorka e kishte dashuruar atë , mase, nga që portreti i Kristaqit ngjante aq shumë me atë të Onufrit, piktorit të madhërishm të mesjetës së hershme, me anë të të cilit kishte mbrojtur edhe diplomën, – AJO DHORKA,- duke rendur mbas mureve të kishave e manastireve të Beratit, Apollonisë, Shpatit, Kosturit në Greqi e të Slipçes në Maqedoninë e Veriut.

Në serinë e portreteve të shënjtorëve të Onufrit ndodheshin edhe autopotrete të tij që ngjasonin edhe me njeriun e saj të dashuruar, jo vetëm nga fizionomia, po edhe në tonalitetin e ngjyrave të të cilave harmonizohej e kuqja e purpurt e tij që ishte vetëm e tij, si ngjyra -që mahniti aq shumë parizjenët, kur në Paris u hap për herë të parë “Ekspozita e Pikturës Mesjetare Shqiptare”…

Ne studentët e rinj të skenës e të filmit, ndiqnim me vëmëndje leksionet e Dhorka Dhamos, teksa ajo na fliste me pasion të zjarrtë për Davd Selenicën e Kostandin Shpatarakun, për piktorët vëllezër korçar Kostandin e Athanas Zografi, të cilët patën edhe meritën e shkëputjes nga Arti Bizantin, duke i dhënë fizionomisë së shënjtorëve tipare realiste, tokësore. Mandej ajo,-Hyjnoria Dhorkë,- do na fliste për një kompozim madhështor të Davidit në kishn e “Shën Kollit “ të Voskopojës, tabllo 17 metra të gjatë, brënda së cilës ishin vizatuar afro njëmijë figura.

Gjithashtu, për ikonografinë e famshme të Kostandin Shpararakut në Vithkuq, Ardenicë, Kavajë, në kishën e Shën Gjon-Vladimirit të Elbasnit, me krijime murale afreskash me vlerë artistike e tamatike reale. Ajo ndalej sidomos në Afreskat e Manastirit të Apolonisë së Fierit që i takonin shekullit XIII, artit të parapushtimit Osman…Profesoresha jonë, fliste me tone superlative për “trapezerinë” e këtij manastiri, të pasur me figura e me një kolorit ngjyrash e detajesh piktorike shprehëse, që ajo nuk i kishte ndeshur as në “Galerinë Tretiakovski” të Moskës e mandej kishte polemizuar edhe me studjuesin e huaj H.Bushhazin, i cili e nënvlerësonte këtë vepër monumentale të ikonografisë tonë, se gjoja “kishim një trapezeri pelIgmbledhëse e imituese!”.

Mbresëlënëse, do të mbeteshin për ne, edhe studimet Zushës sonë, në zbulimin e mëvonshëm të disa ikonave të panjohura që mbanin firmën e Nikollës e të Onufër Kipriotit, duke theksuar edhe dallimin midis Nikollës e Onufrit, ku:”Theksimet e bardha-nënvizonte ajo,-sikur i shtojnë një notë të re, disi të ftohtë, koloritit origjinal e të pasur të Nikollës, që e shquan aq shumë edhe nga Onufri që ka qënur ati dhe mësuesi i tij, Arti Shqiptar Mesjetar Kishtar,- theksonte Dhorka Dhamo, rrëfente edhe për diçka të rëndësishme, që kishte të bënte edhe me“rezistencën Kulturore” në gjithë Ballkanin e pushtuar nga Turqit!

***

Epilog:

Kristaq Dhamo pati edhe një kryevepër pasionante si artist e si njeri humam, dokumentarin “ATA NUK VDESIN” për heronjtë që vdiqën me idealet që u shuan më pas, pa e ditur se edhe atë do ta “vdisnin së gjalli”, për të mbetur i pavdekshëm, siç u tret i pikëlluar , largë vëndit të tij, në Italinë fqinje, pran “Juljetës” së tij të shtrenjte, Dhorkës Hirëplote dhe dy vajzave të tyre ëngjëllore….
_________________________________________________________________________Burimet: Filmat e Kristaq Dhamos: “Tana”(1958),”Furtuna” (1959), “Vitet e para” (1966). “Brazdat” (1973). “Nga mesi i errësirës” (1978). “Qortimet e vjeshtës” (1982). “Vendimi” (1984) dhe”Botë e padukshme” (2021).”Studime për Artin”,nr 8,v.2000,f.85, nga Kristaq Dhamo. Studimet e Dhorka Dhamos :”Mbi disa ikona të panjohura të piktorëve Nikolla dhe Onufri Kipriotit” (1966), “Afreskat e trapezarisë së manastirit të Apollonisë” (Botuar në revistën “ILIRIA” Ne 2.1988) dhe “Të dhëna për datimin e afreskave në Berat. Monumente”.IMK 2/1990)
PIQERAS, më 30 gusht 2023

Linku i postimit original ne Facebook ne faqen zyrtare te mjeshtrit te madh te artit z. M. Gjini:


Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts sent to your email.