Si u realizua filmi “Njeriu me top” 40 vjet më parë…….

0
1926

Interviste me aktorin Zef Bushatin: Si u realizua filmi “Njeriu me top” 40 vjet më parë. Takimi i Mato Grudës me Agushin.
“Si më përzgjodhi regjizori Viktor Gjika për rolin dhe pse mbeti shprehja: Ha gjizë, Agush!”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Marre nga Gazeta “TELEGRAF” (on line)

* * *

– Me Timo Fllokon jam takuar kur fillova Akademinë e Arteve ku, udhëheqëse artistike e ishte Drita Agolli, pedagogë Birçe Hasko dhe Timo Flloko.

– Konkurruan rreth 430 djem e vajza dhe fituam vetëm 12 vetë.

-Studentët e këtij kursi ishin Vasillaq Vangjeli, Ilir Bezhani, Yllka Mujo, Vangjel Toçe, Gjergj Lale, Natasha Ndreko, Afërdita Rranxi, Fotaq Xheke, Jorgaq Tushe.

-Si më zgjodhi regjisori Viktor Gjika te filmi “Njeriu me Top”

– Viktori më kishte bërë disa herë kinoprova, por unë skualifikohesha për shkak të biografisë.

-Viktori luajti mendsh nga gëzimi kur i dha jejen për mua një anëtare e KQPPSH.

– Me Timon kisha luajtur tek filmi “Shtigje Lufte” ku Timo interpretonte Kanan Tafilin, unë një oficer leitnant italian.

– Bashkëpunimi i ngushtë filloi te filmi “Njeriu me Top” ku u bëmë edhe shokë.

-Ju thoni i sertë, por Timo është njeri i dashur dhe gjithmonë i qeshur.

-Gjithmonë kam luajtur role negative dhe me kuaj, të cilët më rrëzonin.

-Si u bëmë tapë me raki kur po luanim “Njeriu me Top”, pasi donim të realizonim saktë.

– Timo më thotë: Agush ha gjizë të të dalë rakia.

– Romani i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ishte shkruar shumë bukur

-Nuk harrohen në këtë film Kadri Roshi- plaku Mere, dhe Drita Pelingu- halla.

– Mbas vitit ‘90 arti në përgjithësi pësoi një rënie dhe ka 30 vite që nuk arrin të marrë veten

* * *
Zef Bushati: Të dy aktorë të filmit “Njeriu me top”. Timo Flloko në rolin e Mato Grudës, ndërsa unë në rolin e Agushit, italianit.
Mato dhe Agushi pas 40 viteve.


-Këto ditë në rrjetet sociale të gjithëve ju ka bërë pështypje një foto e juaja me aktorin Timo Flloko 40-vjet më parë. Kur je takuar për herë të parë me TimoFllokon dhe cili ishte mendimi që krijuat ?

Me Timo Fllokon jam takuar kur fillova Akademinë e Arteve. Udhëheqëse artistike e kursit ishte regjisorja e mirënjohur, Drita Agolli, pedagogë ishin Birçe Hasko dhe Timo Flloko. Kishim kaluar tre konkurse. Konkurruan rreth 430 djem e vajza. U skualifikuan dhe fituam vetëm 12 vetë. Studentët e këtij kursi u bënë aktorë të njohur të Skenës së Teatrit dhe Kinematografisë. Besoj se e mbani mend Vasillaq Vangjelin tek “Zonja nga qyteti”, Ilir Bezhanin tek “Pallati 176”, Yllka Mujon, Vangjel Toçen, Gjergj Lalën, Natasha Nderkon, Afërdita Rranxin, Fotaq Xhekën, Jorgaq Tushen, të gjithë të mëdhenj të skenës dhe ekranit. Me Timon përveçse pedagog krijuam edhe miqësi.

-“Njeriu me Top”, një film që dhe sot shikohet më kërshëri, si ju zgjodhi regjisori Viktor Gjika? Bëtë kinoprovë apo ishte një dëshirë e regjisorit ?

Regjisori Viktor Gjika më pëlqente si aktor. Më kishte bërë disa herë kinoprova, por unë skualifikohesha për shkak të biografisë. Më thirri përsëri dhe më tha të bëj një kinoprovë për Agushin. Unë qesha e i thashë se po më përdor për numër kinoprovash. “Jooo,- më tha Viktori, -në asnjë mënyrë, por mendova meqenëse është italian e jo partizan e, ishallah do ta pranojnë. Ok !– i thashë”. Kur kinoprovat shkuan për miratim në Komitetin Qendror të Partisë, dikush i tha Viktorit për mua: “-po prapë e sjell këtë o Viktor?
Në atë moment, një grua shumë e rëndësishme e KQ tha: po me çfarë italianësh mendon ti se kemi luftuar ne, mirë është Zef Bushati”. Viktori luajti mendsh nga gëzimi dhe erdhi menjëherë të më takonte dhe të më jepte lajmin e fitores së kinoprovës. Kështu u zgjodha. Punova për t’i dhënë jetë personazhit edhe pse ishte pak i ndryshëm nga natyra ime.

– Ky ishte filmi i parë me Timo Fllokon, si bashkëpunuat ?

Me Timon kemi qenë së bashku në fillim tek filmi “Shtigje Lufte”. Timo interpretonte Kanan Tafilin, ndërsa unë një oficer leitnant italian (personazh negativ, si gjithmonë). Por skenat që xhironim i kishim të ndryshme dhe nuk patëm bashkëpunim. Bashkëpunimi filloi tek filmi “Njeriu me Top”. Shumë mirë bashkëpunuam. Ishim bërë edhe shokë. Të dy ishim të preokupuar për realizimin e karaktereve të personazheve. Mendoj se deri diku ja arritëm. E mira nuk ka fund.

– A ishte i thjeshtë apo i sertë, siç është në dukje.

Timo i sertë? Jo aspak. Timo është njeri i dashur dhe gjithmonë i qeshur. Romantik. I pëlqente poezia qe kur ishte i ri. “Shikoi – më thoshte – lotët në sytë e kalit”. Unë qeshja me gjithë shpirt. Timo është njeri shumë pozitiv. Kam kënaqësi sa herë që e takoj.

-Kush ishte pjesa më e vështirë e këtij filmi ?

Në çdo film ka edhe skena të vështira. Unë e kam patur të vështirë për t’u ambientuar me kalin. Një herë kam xhiruar dhe interpretuar personazhin e Mic Sokolit në Tropojë. Kali më hodhi poshtë. Pastaj me oficerin italian tek “Shtigje Lufte” përsëri kali më rrëzoi përtokë,

Filmi i tretë me kalë ishte “Këmishat me dyll” ku interpretoja Kapedan Janon. Kësaj here kali nuk më rrëzoi por përsëri nuk e kisha të lehtë.

Ne në Shqipëri, ditën që fillonim xhirimin, i hypnim kalit. Kurse aktorët që interpretuan Ertugruli, Osmani, Sulejmani,etj. janë stërvitur me kalë një vit para se të fillonin xhirimin. Por një skenë me Timon nga “Njeriu me Top” mund ta kujtoj. Po xhironim tek kasollja me kashtë ku Mato Gruda kishte fshehur topin. Ishte skena kur Mato dhe Agushi ulen të pinë raki. Timo i tha regjisorit Viktor Gjika që të pinim raki prej vërteti, që të dalë skena sa më origjinal. Pi raki e bëj një dubël, pi raki e bëj një tjetër dubël, pi e bëj dubla…unë i them Timos: e di që po më zë kjo rakia? Ai më kthehet dhe më thotë: Ha gjizë Agush, se të bën esëll. Na kapi e qeshura, oh, sa kemi qeshur, me lot kemi qeshur dhe xhirimi u prish. Nuk ishim në gjendje të xhironim se ishim gjysmë të dehur. Regjisori Gjika ndërpreu xhirimin. E xhiruam të nesërmen por jo me raki prej vërteti.

Foto nga dy rolet te Matos dhe Agushit ne "Njeriu me top"
 
 

-Si do ta cilësoje këtë film nga ana artistike ?

Film i mirë. Romani i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ishte shkruar shumë bukur. Edhe skenari shumë i mirë. Regjisori Viktor Gjika nga më të mirët e Kinematografisë. Aktorët shumë të mirë, Kadri Roshi, plaku Mere, dhe Drita Pelingu halla, aktorë të mëdhenj të artit skenik e kinematografik. Me këto komponentë, filmi natyrisht që realizohet shumë mirë.
Mbas vitit ‘90 arti në përgjithësi pësoi një rënie. Ka 30 vite që nuk arrin të marrë veten. Nejse, kjo është një temë tjetër. Ne punonim me pasion dhe realizonim çfaqje teatrale dhe filma të bukur.

Simbas gazetes “Telegraf” – qershor 2021
Interviste me aktorin Zef Bushati

_______________________
Kinematografia Shqiptare 2013-2021
Ilustrimi me foto nga administratoret e faqes “K.SH”.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts sent to your email.