Lazer Filipi (1921 – 2016) legjenda e aktrimit shqiptar!

0
2972

Lazer Filipi 1921 – 2016
Artist i merituar, aktor, regjisor e skenarist!

Lindi më 7 shkurt të vitit 1921 në Shirq të Shkodrës. Jeta e gjerë kulturore e qytetit të Shkodrës do të bëjnë që ai të dashurohet me teatrin që në moshë të vogël, që kur ishte nxënës në shkollën “28 Nëntori” duke luajtur në pjesë të vogla teatrale me të vëna në skenë nga mësuesi i tij, shkrimtari dhe atdhetari i shquar Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni). Shfaqjet më mbresëlënëse për të në atë kohë do të ishin pjesët “Ruba e kuqe” dhe “Ali Pashë Tepelena dhe suljotët” të vëna në skenë prej shoqërive kulturore “Rozafa” dhe “Vllaznia”. Në vitin 1938 largohet nga Shkodra në drejtim të Tiranës. Pushtimi i vendit nga fashistët italianë do të bëjë që ai të lidhet me lëvizjen antifashiste për të luftuar me armë në dorë armikun. Por ai nuk harron edhe teatrin. Kështu me organizimin e Teatrit të Rinisë Antifashiste në vitin 1943, në More të Krujës ai do të interpretojë edhe rolin e parë të tij i cili ishte edhe roli kryesor në pjesën “Kryengritje Shqiptare” e idejuar dhe e vënë në skenë nga Kolec Ilia.

Me vazhdimin e luftës edhe jeta artistike kalon në plan të dytë por pas Kongresit të Përmetit do të krijohej një grup tjetër teatral i mbiquajtur “Grupi i Priskës” në të cilin Lazër Filipi do të merrte pjesë aktive së bashku me Artistin e Popullit, Naim Frashëri. Me këtë grup do të vënë në skenë “Nëna” e Fatmir Gjatës, “Burgu” dhe “Partizani”. Drama “Partizani”, një dramë me tre akte do të ishte dhe shfaqja e përzgjedhur me rastin e Festës së Pavarsisë në 28 Nëntor 1944 e interpretuar për shtatë netë radhazi, duke qenë shfaqja e parë në Tiranën dhe më pas në Shqipërinë e çliruar.

Me mbarimin e luftës futet në shkollën dramatike krahas impenjimit në grupin teatral. Në prill të vitit 1945 do të marrë pjesë në të parin Festival të Grupeve Amatore me rolin e Maxhordomit në pjesën franceze “Topazi”. Këtë rol ai do të interpretojë edhe në shfaqjen inagurale të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) më 30 Maj 1945 duke qenë edhe një nga themeluesit e këtij Teatri.

Në vitin 1947 do të niset për në Zagreb për të studiuar për aktor por prishja me jugosllavët do të bëjë që këto studime ti vazhdojë dhe ti përfundojë në vitin 1950 në Çeki. Me kthimin në atdhe pas studimeve Lazër Filipi do ti japë artdashësve një galeri të tërë rolesh që do ta bëjnë atë të dashur për publikun. Këtu mund të veçojmë rolin e Leninit në dramën “Orët e Kremlinit” e N.Pogodin rol për të cilin ai është vlerësuar në Nëntor të vitit 1957 me Çmimin e I-rë të Republikës.

Rolin e xha Shazos në dramën “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit), rolin e Klarkut tek “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, rolin e babait të Ofelisë në dramën “Hamleti” të Shekspirit etj. Në vitin 1977 del në pension por impenjimi i tij me teatrin do të vazhdojë. Kështu në vitin 1991 do të krijojë trupën teatrore “Tirana” me të cilën do të interpretojë dramat “Fati i një refugjati”, “Napoleon Bonaparti” e Aleksandër Moisiut ku ai luan rolin e Napolon Bonapartit, “Ali Pashë Tepelena” ku ai luan rolin e Ali Pashës.
Këtë rol të fundit do të interpretojë edhe në turneun që kjo kompani teatrale zhvilloi në Kosovë në vitin 2005 ku në qytetin e Gjilanit ai do të vlerësohej me Çmimin Special për meritat e tij artistike. Në Teatrin Kombëtar ai do të kthehej në pjesën e Ruzhdi Pulahës “Streha e të harruarve” në maj të vitit 2004.

Të shumta kanë qenë rolet e tij edhe në kinematografi. Kështu në vitin 1958 ai do të jetë një ndër aktorët që do të interpretojë në filmin e parë tërësisht shqiptar “Tana”. Më tej do të vazhdonin rolet të tjera si roli i xha Shazos në filmin “Oshëtimë në Bregdet” në vitin 1966, roli i Ropit, funksionarit të Partisë, në filmin “Kapedani” në vitin 1972, roli i Shaqo Bregut në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1976 për të cilin do të nderohej me Çmim Special në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur prej datës 5 deri në 11 Prill të vitit 1976 në Tiranë, roli i Dash Cungelit në filmin “Shembja e Idhujve” në vitin 1977 etj. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, roli i Llazar Koritës në filmin “Ne dhe Lenini”.

Për meritat e tij artistike, në interpretimin e më se 80-të roleve në teatër dhe kinematografi, Lazër Filipi është vlerësuar me titullin e lartë “Artisti i Merituar”.
Nderron jete ne moshen 95 vjecare me 16 dhjetor 2016.

Kinematografi
2009 — Ne dhe Lenini (Llazar Korita)
2000 — Tradhëti bashkëshortore (Kamarieri)
1991 — Enigma
1989 — Balada e Kurbinit (Këshilltari i Vuhan Pashait)
1988 — Misioni përtej detit (Prifti)
1987 — Në emër të lirisë (Elmazi)
1984 — Koha nuk pret (Film TV) Mallzëmi
1983 — Një emër midis njerëzve (Nazmiu)
1980 – Nusja (Sadik Alia)
1977 – Këshilltarët (Mitrua)
1977 — Shembja e idhujve (Dash Cungeli)
1976 — Pylli i lirisë (Prifti)
1975 — Në fillim të verës (Shaqo Bregu)
1974 – Shpërthimi
1972 – Kapedani (Ropi, funksionar partie)
1972 – Ndërgjegjja (Drejtori)
1969 — Përse bie kjo daulle (Drejtori)
1966 — Oshëtimë në bregdet (xha Shazua)
1959 – Furtuna (xha Demiri)
1958 — Tana

 
 

Teatër
— /–/ 2005 — “Napoleon Bonaparti” e Aleksandër Mojsiut – Napoleon Bonaparti
— /05/2004 — “Streha e të harruarve” e Ruzhdi Pulahës
— /– /2003 — “Ali Pashë Tepelena” – Ali Pashë Tepelena
24/03/1974 — “Familja e Peshkatarit” e S.Pitarkës (A.P) – Xha Shazua
28/11/1973 — “Prefekti” e Besim Lëvonjës (Artisti i Merituar)
24/01/1973 — “Sinjali i kuq” e Bashkim Kozelit
04/03/1971 — “Arturo Ui” e Bertold Brehtit – Klarku
13/02/1969 — “Shokët” e Bashkim Kozelit
21/01/1968 — “Heronjtë e Linasit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)
07/03/1967 — “Cuca e Maleve” e Loni Papës
12/11/1966 — “Përkolgjinajt” e Kolë Jakovës
12/07/1965 — “Ljubov Jarovaja” e Konstandin Tranjevit
27/03/1965 — “Roje nën llampat e neonit” e Shen Shi-Men dhe Lu Shin Cenit
16/02/1964 — “Tre ditët e kjametit” e Luan Qafëzezit
16/03/1963 — “Banorët e shkallës nr. 6” e Kin Dushit
09/01/1963 — “Qeni i kopshtarit” e Lope de Vegës
13/01/1962 — “Zonja e Bujtinës” e Karlo Goldonit
22/06/1961 — “Dhelpra dhe rrushtë (Ezopi)” e Guilherme Figueiredoas
24/06/1960 — “Hamleti” i Shekspirit – Babai i Ofelisë
21/06/1958 — “Mashenka” e A.N Afinogenovit
03/11/1957 — “Orët e Kremlinit” e e N.Pogodinit – Lenini
26/11/1956 — “Çështje familjare” e Ezhi Ljutovskit
23/02/1946 — “Martesa” e Gogolit
30/12/1945 — “Rrugaçi” e K. Nases – Vasili
24/09/1945 — “Dashnori-Gjido” e Gogolit
30/05/1945 — “Topazi” – Maxhordomi
— /– /1944 — “Burgu”
— /05/1944 — “Nëna”
28/11/1944 — “Partizani”
— /– /1943 — “Kryengritje Shqiptare”

Regjisor ne Teatër
“19 ditë” e Fadil Paçramit (as/regjisor)
21/01/1968 — “Heronjtë e Linasit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)

Skenarist
Kinematografi

1974 — Shpërthimi

Teatër
“Dashuria që u mbijetoi flakëve”
“Nënë Tereza”

Çmime e Tituj
Artist i Merituar
2008

Çmim Special
për interpretimin e rolit të Ali Pashë Tepelenës në dramën “Ali Pashë Tepelena” në Gjilan.

11 Prill 1976
Çmim Special
për interpretimin e rolit të Shaqo Bregut në filmin “Në fillim të verës”
në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 5 deri në 11 Prill të vitit 1976.

Nëntor 1957
Çmimin e I-rë të Republikës
për interpretimin e rolit të Leninit në dramën “Orët e Kremlinit” të N.Pogodinit.

_______________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: Enciklopedia, Teatri dhe Kinematografia Shqiptare – Toena 2009 / J. Papagjoni & nje selesksionim i lajmeve dhe informacionit te nxjerre on line nga gazeta te ndryshme 2003-2007. Publikuar per here te pare ne faqen “Kinematografia Shqiptare” ne Facebook qe ne v. 2013. Teksti u rishikua disa here gjate viteve pasardhes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here