Aktori dhe Personazhi | Pjetër Gjoka (1912-1982), espisode gjatë karrierës në interpretimin e roleve!

0
1264

Pjetër Gjoka (1912-1982), espisode gjatë karrierës në interpretimin e roleve!

Familja e tij do të vendosej në Shkodër në vitin 1915. Shkodra i priti me shi.
Aty do të fillonte jeta e atij që më vonë do të ishte “Artist i Popullit”
Ja si e kujtonte vite më vonë aktori ardhjen e tij në Shqipëri:

“Edhe sot, në këtë moshë i ndjej ato currila të ftohta, që si një dorë e hekurt më kalonin nëpër fytyrë, me një ledhatim të ngrirë, të akullt, sikur donin të mbytnin të qarën time për bukë”.

Mësimet e para do t’i merrte në shkollën e Françeskanëve në të njëjtin qytet dhe profesor do të kishte At Gjergj Fishtën, me të cilin do të kishte shumë kujtime. Një ndër ta është ai që i përket ditës ku Pjetri i vogël, pas mësimit kishte shkuar të lahej në lumin Kir dhe ishte hedhur nga ura e tij.

Atëherë, siç do të rrëfente vetë ai, Fishta që nuk i bëhej fjala dysh, i kishte bërtitur dhe e kishte bërë t’i vinte gishtin kokës.
Pjetri pati lindur pak muaj para se shteti mëmë të shpallte pavarësinë.
Vite më vonë ai do të shprehej: “Unë e prita shpalljen e Pavarësisë me pelena. Nuk e di nëse qaja apo qeshja atë ditë.
Por, tani më duket se do kem qeshur më shumë se qarë.


Princi turk dhe Skënderbeu


Një rol i suksesshëm i artistit Pjeter Gjoka do të ishte ai i Lleshit tek drama “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Drama e realizuar në vitin 1937, vihej në skenë me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë. Pjetër Gjoka luajti me sukses përkrah Loro Kovaçit, në rolin e Skënderbeut.

Lleshi do të shkonte në Stamboll t’i mbushet mendjen Skënderbeut të kthehej në Shqipëri. Roli mishëronte në vetvete urtësinë popullore. Në të shkriheshin njëra me tjetrën ngrohtësia dhe ashpërsia. Shfaqja e organizuar nga Loro Kovaçi, pas suksesit të madh në Shkodër, ditën e 28 Nëntorit, do të jepej në Tiranë, që ato ditë festive ishte mbushur me trupa amatore.

Drama ishte planifikuar të jepej dy herë, në orën 17.00 për qytetarët dhe në orën 20.00 për Mbretin, personalitete dhe të ftuar. Premiera e saj do të shoqërohej me peripeci të shumta që, akoma edhe sot janë të freskëta tek ata paktë shikues që kanë ngelur akoma gjallë. Peripecitë, siç tregonte Pjetri, ishin të lidhura me ardhjen në Shqipëri i ftuar nga Mbreti Zog të dhëndrit të pallatit të sulltanëve, princit turk Habib. Trupës teatrale amatore, iu kërkua të jepte shfaqje para mbretit, qeverisë dhe “mikut të nderuar”, vetëm me një kusht, që shfaqja t’i nënshtrohej censurës. Në mëngjes erdhi për të parë shfaqjen vetë ministri i brendshëm i Zogut, Musa Juka së bashku me nëpunësit e tij.

Mbasi e panë ata bënë disa vërejtje. Iu thuhej se nëse donin të shfaqnin të hiqej akti i katërt, si edhe disa copëza nga i dyti, në mënyrë të veçantë çdo fjalë fyese drejtuar turqve. “Ne nuk duhet të ofendojmë e të zemërojmë mikun tonë të nderuar, zakoni nuk na e kërkon një gjë të tillë”, – kishte thënë Musa Juka. Pas replikave të Loro Kovaçit, ministri Juka i nervozuar bërtiti: “Ta bëni si them unë, ndryshe do t’iu burgos të gjithëve. Duke e njohur mirë vlerat dhe huqet e bashkëqytetarëve të vet, Juka teksa largohej i zemëruar pëshpëriti: “Mirë jepeni vetëm për popull, ne s’na prish punë kjo”. Pika kulminante e saj ishte momenti kur plaku Llesh (Pjetri), me ardhjen e Skënderbeut në Krujë, ulte flamurin turk dhe ngrinte atë shqiptar. Kjo bëri që spektatori të kalonte në delir e të thirrte “Rroftë Shqypnija”.


“I vdekuri” dhe “Kthimi i Skenderbeut ne Kruje”

Roli i parë ka qenë në “Një i vdekur”. Luante në një teatër amator, por dhe shokët e tij që ishin edhe ata amatorë, u futën në një bodrum dhe gjatë shfaqjes vendosën ta ngacmonin, duke e shpuar me një gjilpërë nga poshtë skenës. Skena e rolit të të vdekurit zgjati 15 minuta, ai nuk lëvizi, qëndroi si i ngrirë, por shokët e tij vazhdonin ta shponin, duke menduar se gjilpëra nuk kishte mbërritur në trupin e tij. Kur u mbyll perdja, ai nuk lëvizi. Pas pak u ngrit dhe tha: “Kujtoni se nuk e ndjeva, shihni vendin tërë gjak. Roli ishte i vdekuri dhe unë interpretoja të vdekurin…”

Por shoqëritë kulturore atëherë lëviznin nëpër rrethe. Erdhën dhe dhanë shfaqje në Tiranë. Shfaqja quhej “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Aty Pjeter Gjoka interpretoi rolin e plakut 70-vjeçar, i cili dërgohet nga trimat e Krujës në Stamboll, t’i mbushte mendjen Skënderbeut për t’u kthyer në Shqipëri. Artisti ishte atëherë në moshën 23-vjeçare. Shfaqjen e ndoqën me interes shumë shikues, edhe familjet shkodrane që jetonin në Tiranë. Një vajzë që kish ardhur te xhaxhai i saj, kur pa shfaqjen familjarisht, tha: “Sa bukur që luan ai plaku”. Kushërira kthehet dhe i thotë: “Nuk është plak, por djalë i ri!” Ajo vajzë e re, mbas disa vitesh, Liza Gjoka, e cila në rininë e saj interpretoi Marie Stuart të Shillerit, bëhet gruaja e Artistit të Popullit Pjetër Gjoka. Ndaj, ai gjatë jetës së tij shpesh thoshte: “Një pjesë të suksesit tim ia dedikoj me gjithë shpirt bashkëshortes sime, Lizetës.”


“I treti” – 1978

Regjisori Albert Minga, rikujton Artistin e Popullit Pjetër Gjoka: “Ishim duke xhiruar filmin “I treti”. Të gjitha përgatitjet ishin bërë gati.

Regjisori urdhëron: – Qetësi, fillon xhirimi!

Skena: Gulielm Radoja do të ndizte cigaren gjatë bisedës. Artisti Pjetër Gjoka do të pinte cigaren dhe do të përgjigjej. Skena po shkonte mbarë, por, në moment, regjisori ndërpret xhirimin…….

“Zoti Pjetër – më falni, po në një zyrë luksoze, cigarja nuk shkundet në tavolinë, por në taketuke. Atë çast Pjetri kontrolloi përreth vendit ku e kishte vendosur më parë dhe ngaqë nuk e gjeti aty, iu përgjigj:

Dikush e ka luajtur nga vendi ku e kam vendosur unë, sepse ngaqë nuk shikoj, i provoj gjërat disa herë që të mos turpërohem në xhirim?!“.

Pikërisht atë çast, Guljelm Radoja pranoi gabimin dhe tha se lëvizjet në tavolinë i kishte bërë ai.

Atëherë Pjetri e porositi: “Ju lutem, herë tjetër mos lëvizni asnjë objekt nga vendet ku i vendos unë. Ja po ju sqaroj. Unë vij një orë e gjysmë para jush dhe vendos objektet në mënyrë të tillë, që të mos ju pengojnë, ju e dini që unë nuk shoh…“ Kjo ishte njëra nga mbresat e kolegëve të tij artistë për mjeshtrin e madh të skenës shqiptare, që gjatë gjithë jetës së tij mbahet mend për korrektesën dhe zbatimin e disiplinës së rreptë në punë.


Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: Fatmira Nikolli – “Gazeta Shqiptare” on line.
Informacioni u seleksionua dhe u pershtat per faqen qe ne gusht 2016

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here