Pjetër Gjoka (1912-1982) | Aktori i madh që interpretoi edhe i verbër!

0
1611

Pjetër Gjoka (1912-1982) | Aktori i madh që interpretoi edhe i verbër!

Pjetër Gjoka ishe djali i Gjokë Pjetrit nga Dushmani i Shllakut, Dukagjin, lindi në Ulqin më 3 gusht të vitit 1912 dhe nderroi jete më 2 maj të vitit 1982, ishte nje aktor i shquar shqiptar.
Aktivitetin në teatër në lëvizjen amatore e filloi që vitet 30 në Shkodër.

Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”. Ka interpretuar rreth 90 role në këtë teatër, dhjetëra kryerole nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe i verbër krejtësisht.

Qysh në atë kohë admirohet nga spektatori dhe duartrokitet prej tij.
Në rrugën e artit skenik vazhdon në rolet te “Guvernatori i provincës”, Makar Dubrov, “Halili dhe Hajria”, në rolin e Shpend Gjet Plakut.
Në këtë figurë, Pjetër Gjoka e kërkon lirinë me thjeshtësinë popullore.
Figurat e realizuara bukur artistikisht te “Revizori”, “Otello”, “Vajza e thinjur”. Rolet, artisti është përpjekur t’i interpretojë gjithmonë duke u nisur nga të dhënat individuale. Në rolin e muzikantit të varfër, ai evidenton thjeshtësinë e figurës, dashurinë e muzikantit për të birin. Figurën e Milerit tek “Intrigë e dashuri”, Pjetër Gjoka dha një baba me virtytet më të mira. Ky rol është ndër më të realizuarit prej tij. “Studimi i tekstit është i domosdoshëm për aktorin dhe ai s’duhet ta nënvleftësojë atë”, theksonte vetë artisti.

Disa nga rolet e tij të tjera janë te “Hamleti”, “Borgjezi fisnik”, “Mbreti Lir”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe më vonë “Arturo Ui”, duke interpretuar me virtuozitet rolin e “Dokzboru”. Ai misheroi me profesionalizem personazhe si: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Gjini, Ali Pashë Gucia etj. Koha kalonte, por aktori i madh nuk e ndërpriste lidhjen e tij me artin skenik.

Në vitin 1961 ai është ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”.

Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira.

Interpretoi ne filmat : Skenderbeu(1953); Femijet e saj (1957); 1958: Tana (1958); Furtuna (1959); Njesiti gueril; Gjurma (1970); Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1975); I treti(1978); Yje mbi Drin (1978); Në prag të lirisë (1981)

Krahas punës si aktor, ka vënë në skenë edhe disa pjesë, si regjisor.
Pjetër Gjoka ka qenë edhe muzikant edhe aktor. Si i tillë, janë të shumta pjesët që ka vënë në skenë. Nga dramat e shkruara nga kryemjeshtërit e letërsisë shqipe, më e mira për kremtimin e përvjetorit të Pavarësisë, në nëntorin e vitit 1945-ës është tragjedia “Juda Makabre” e shkruar nga At Gjergj Fishta.

Me një subjekt të marrë nga Bibla, ashtu siç nënvizonte edhe Zef Zorba tragjedia “ishte fund e krye akuzë ndaj çdo lloj pushteti e çdo tradhtie ndaj atdheut, i përshtatej çuditërisht dallgëve të situatës politike nëpër të cilat po përshkohej kombi”. Për të realizuar këtë, një grup artistësh shkodranë bënë të pamundur dhe liruan nga “burgu-shtëpi” Prenkë Jakovën, i cili ishte i vetmi që mund ta bënte muzikën. Përgatitjet për ta vënë në skenë atë nuk do të kalonin pa rënë në sy nga organet e sigurimit të shtetit. Filluan kërcënimet indirekte ndaj iniciatorëve. Situata e tendosur politike e kohës bëri që leja mezi të merrej nga Ministri i atëhershëm i kohës Sejfullah Malëshova, “ithtar” i Fishtës.

Por edhe pas kësaj, shfaqja do të ndalohej. Pas shumë përpjekjesh premiera e shfaqjes të jepej më 28 nëntor 1945 në sallën e kinema “Rozafat”. Kundrejt kërkesave për ta përsëritur shfaqjen, erdhi vendimi komunist “ndal”.
Fundi i kësaj shfaqje, ku Pjetri luante priftin, shënon fundin e aktivitetit vokal të tij .Një tjetër rol i suksesshëm i Pjetrit do të ishte ai i Lleshit tek drama “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Drama “Dy princa për një vashë”, me tre akte u shkrua dhe u vu në skenë nga Henrik Lacaj, më 26 prill 1939. Drama krahas subjektit dhe interpretimit shënon edhe daljen për herë të parë në skenë të një vajze, Maria Markut, që interpretonte në një trupë me meshkujt. Në dramën “Dedë Gjo Luli”, Pjetri ka rolin kryesor ate te Dedës, një realizim i bazuar tek njohja e thellë e kësaj figure. Mesa dramave të shfaqura nga shoqëria “Bogdani” është edhe “Drejtësia cigane” e përkthyer siç ishte bërë zakon të cilësohej në atë kohë lirshëm nga Pjetër Gjoka dhe Kolë Çuni. Ai do të interpretonte edhe rolin e Zabelinit në “Orët e Kremlinit”. Por aktorit, rolet e shumta si malësor i veriut, me kalimin e kohës duket se e shqetësuan. Për këtë ai do të thoshte: Ai njihet si një ndër aktorët që ka interpretuar role, edhe pse ishte i verbër.

Në Festivalin Kombëtar të teatrove ai do të merrte pjesë me rolin e Pilos, tek pjesa “Shënomëni edhe mua”. E mori atë rol me dëshirë të madhe, i vetëdijshëm për vështirësitë që i sillte verbëria. Në një situatë të tillë, Gjoka do të thoshte se është fatkeqësi e madhe të mos dish të lexosh, por fatkeqësi më e madhe qenka kur di dhe nuk mundesh”.

Nga monografia “Pjetër Gjoka, 52 vite në skenë” e botuar nën kujdesin e djalit të aktorit të madh, Gjovalin Gjoka dhe nipit Gjovalin Çuni, mesohet , se kur ai u nda nga jeta, me vete mori edhe një peng. Në ditët e fundit të jetës, i tërhequr pas figurave kombëtare, e tërhoqi shumë monologu i Ismail Qemalit mbajtur ditën e Shpalljes së Pavarësisë. “Pas dy vjetësh është 70-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë. Edhe unë për koincidencë mbush atë vit, 70 vjeç. Kam një ëndërr si aktor. Të luaj Ismail Qemalin. Me siguri atë vit, do të ketë film apo dramë për të…”
Ëndrra mbeti ëndërr, një vegim i këndshëm, i parealizuar, sepse ai u nda nga jeta më 2 maj 1982.
________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply