Profil i aktorit Timo Flloko!

0
2764

Timoleo Flloko
Aktor i suksesshem i kinematografise dhe teatrit shqiptar.
Formulues i disa teksteve kengesh si dhe interpretues i poezise.

Timoleo Flloko ose Timo siç njihet nga publiku shqiptar ka lindur më 26 Prill të vitit 1948 në qytetin e Pejës. Pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin e Vlorës nis studimet e larta në degën e Dramaturgjisë në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Diplomohet në vitin 1970 dhe fillon punë si pedagog pranë këtij Instituti.
Në teatër ka interpretuar mbi 30 role. Roli i tij më i fundit ai i Edi Karbones në dramën “Pamje nga ura” e dramaturgut të madh amerikan Artur Miler (Arthur Miller) e vënë në skenë nën regjinë e Albert Mingës (Artist i Popullit) do të vlerësohej me Çmimin “Aktori më i Mirë” në Festivalin e Shtatë Mbarëkombëtar të Aktrimit, që u zhvillua në qytetin e Fierit nga data 12 deri në 17 maj të vitit 2008. Për këtë rol ai do të vlerësohej edhe me Çmimin “Aktori më i mirë i vitit” nga Akademia Kult në 6 Qershor 2008.

Timo Flloko ka interpretuar 35 role në kinematografi.
Hapat e tij të para në kinematografi do të fillonin qysh në vitin e parë të Institutit, në moshën 19 vjeçare, në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” në vitin 1967 ku Timo do të interpretojë rolin e Fatosit. Roli tjetër i kësaj periudhe do të jetë ai i Xhavitit në filmin “Përse bie kjo daulle” në vitin 1969. Por rolet që do ta bëjë të njohur përpara publikut të gjerë do të jenë ato të Kabo Dalipit dhe Meços përkatësisht në filmat “Malet me blerim mbuluar” dhe “Kur zbardhi një ditë” në vitin 1971.

Mjeshtëria e tij aktoriale do të bëjë atë një nga aktorët më të dashur për publikun mbarëshqiptar. Ka ngelur në mendjen e spektatorëve roli i Mësuesit në filmin “Lulëkuqe mbi mure” në vitin 1976, ku është recitimi i tij i poezisë “Anës Lumenjve” të Fan S. Nolit është një nga çastet më të bukura të këtij filmi.

Për interpretimin e këtij roli dhe në vitin 1976 ai do të vlerësohet me “Medaljonin e Festivalit” si “Aktori më i mirë” në Festivalin e II-të të Filmit Shqiptar që u zhvillua në Tiranë nga data 16 deri 23 Prill 1977.

Gjatë karrierës së tij artistike vlerësimet kanë qenë të shumta këtu mund të përmendim Kupën e Festivalit si “Aktori më i mirë” për rolet e Visar Shundos në filmin “Militanti” dhe atë të Çeçenit në filmin “Nata e parë e Lirisë”, të dy këto filma të vitit 1984, në Festivalin e VI-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 1 deri në 5 Tetor të vitit 1985, Kupën e Festivalit si “Aktori më i mirë” për rolin e Agronit në filmin “Rrethimi i vogël” në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 13 deri në 18 Prill të vitit 1987, Kupën e Festivalit si “Aktori më i mirë” për rolin e Agronit në filmin “Vdekja e Kalit” në Festivalin e X-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 10 deri në 13 Maj të vitit 1995.

Ndër rolet e tij më të arrira mund të përmendim rolin e Kanan Tafilit në filmin “Shtigje lufte” në vitin 1974, rolin e Mato Grudës në filmin “Njeriu me top” në vitin 1977, rolin e Çerçiz Topullit në filmin “Liri a vdekje” në vitin 1979, rolin e Inxhinier Sergejit në filmin “Ballë për ballë” në vitin 1979, rolin e Martin Alushit në filmin “Të paftuarit” në vitin 1985, rolin e Vladimirit në filmin “Larg Barbarëve” në vitin 1994, rolin e Nikos në filmin “Syri magjik” në vitin 2004 e shumë të tjerë.

Pasioni tjetër eshte letërsia. Kështu ai ka botuar në vitin 2003 përmbledhjen poetike “Rob i Manive”. Gjithashtu ai është edhe autor i disa teksteve të këngëve. Kënga “Hap veten” e shkruar prej tij do të fitonte Çmimin e Parë dhe Çmimin e Kritikës në “Kënga Magjike 2007”.

Në vitin 2008 ai do të përkthente dhe shqipëronte biografinë e aktorit të famshëm me famë botërore Marlon Brando e botuar nën titullin “Përtej famës”. Në vitin 2007 shpallet “Personalitet i vitit” nga Bashkia e Tiranës. I martuar me regjisoren e mirënjohur Vera Grabocka (Artiste e Merituar).

Ka jetuar per 7 vite ne Amerike ne Los Angeles. Aktualisht jeton ne shqiperi.
Për meritat e tij artistike Timo Flloko është vlerësuar me titullin e lartë
“Artist i Merituar”.

Kinematografi
2009 — Muaji i mjaltit….
2008 — Watch!…Andrea
2006 — In Between….Niku
2006 — Stay awake…..Miroshi
2004 — Syri magjik…..Niko
1999 — Angel’s dance….Shanku
1999 — Daddy’s girl (Film TV)…Roja civile serbe
1999 — K-911…….Xhonsoni (Johnson)
1999 — Seven days (Film TV)…….Roja civile serbe
1999 — Wishmaster2: Evil never dies (Film TV)…..Mustafai
1994 — Larg Barbarëve…….Vladimiri
1994 — Përdhunuesit……Luani,doktori psikiatër
1992 — Vdekja e Kalit……Agroni
1989 — Balada e Kurbinit…..Gurgen Dreni
1987 — Binarët…….Asimi
1987 — Vrasje në gjueti……Arjani
1986 — Fillim i vështirë……Bujari
1986 — Rrethim i vogël….Agroni
1985 — Të paftuarit……Martin Alushi
1984 — Militanti…….Visar Shundo
1984 — Nata e parë e lirisë……Çeçeni
1979 — Ballë për ballë……Inxhinier Sergej
1979 — Liri a vdekje…..Çerçiz Topulli
1977 — Njeriu me top……..Mato Gruda
1976 — Lulëkuqet mbi mure……Mësues Luani
1974 — Shtigje lufte…..Kanan Tafili
1971 — Kur zbardhi një ditë….Meço
1971 — Malet me blerim mbuluar…..Kabo Dalipi
1969 — Përse bie kjo daulle…….Xhaviti
1967 — Ngadhënjim mbi vdekjen…….Fatosi

Teatër
“Hotel Franca”
“Pamje nga ura”e Artur Miler…..Edi Karbone
“Midis dy njerëzve”
“Një shok i klasës sonë”
“Për një fjalë goje”
“Stinë e mërzitshme në Olimp” e Ismail Kadaresë (Nder i Kombit)…….Prometeu

Shkrimtar
Poezi
2004 — Rob i manive

Përkthime e Shqipërime
2007 — Përtej famës

Tekste Këngësh
“Flas me hënën” muzika : Shpëtim Saraçi
“Hap veten” interpretimi :Rovena Dilo
“Kur ty nuk të kam” muzika dhe interpretimi : Ardit Gjebrea
“Pija që deh” muzika : Edmond Zhulali
“Pendesë” muzika dhe interpretimi : Ardit Gjebrea
“Për një çast më ndali zemra” muzika Pirro Çako interpretimi : Rovena Dilo
“Të dua zemër, të dua ty” muzika : Luan Zhegu
“Ylli im”

Çmime e Tituj
Artist i Merituar

6 Qershor 2008
Çmimi “Aktori më i mirë i vitit” dhënë nga Akademia Kult

2007
Çmimin “Personalitet i Vitit” dhënë nga Bashkia Tiranë në vitin 2007

17 Maj 2008
Çmimi “Aktori më i Mirë”
për interpretimin e rolit të Edi Karbones në dramën “Pamje nga ura” e
Artur Milerit në Festivalin e Shtatë Mbarëkombëtar të Aktrimit, që u zhvillua në qytetin e Fierit nga data 12 deri në 17 Maj të vitit 2008.

9 Dhjetor 1997
Çmimin e Parë
për interpretimin e rolit të Agronit në filmin “Vdekja e Kalit”
në Festivalin Evropian të Saint Etienit (Francë) të zhvilluar nga data 2 deri në 9 Dhjetor 1997.

13 Maj 1995
Kupa e Festivalit
për interpretimin e rolit të Agronit në filmin “Vdekja e Kalit”
në Festivalin e X-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 10 deri
në 13 Maj të vitit 1995.

17 Nëntor 1991
Çmimi i Tretë
për interpretimin e rolit të Gurgen Drenit në filmin “Balada e Kubinit”
në Festivalin e IX-të të Filmit Shqiptar të mbajtur prej datës 12 deri në
17 Nëntor të vitit 1991 në Tiranë.

18 Prill 1987
Kupa e Festivalit
për interpretimin e rolit të Agronit në filmin “Rrethimi i vogël”
në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data
13 deri në 18 Prill të vitit1987.

5 Tetor 1985
Kupa e Festivalit
për interpretimin mjeshtëror në rolet e e Visar Shundos në filmin “Militanti”
dhe atë të Çeçenit në filmin “Nata e parë e Lirisë”
në Festivalin e VI-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data
1 deri në 5 Tetor të vitit 1985.

23 Prill 1977
Medaljoni i Festivalit
për interpretimin e rolit të Mësues Luanit në filmin “Lulëkuqet mbi mure”
në Festivalin e II-të të Filmit Shqiptar që u zhvillua në Tiranë nga data
16 deri 23 Prill 1977.


_________________
Publikuar per here te pare ne Kinematografia Shqiptare, Facebook ne prill 2014 dhe rishikuar ne vitet vijues. Referenca: Enciklopedia e Kinematografise Shqiptare si dhe tekste te tjera on line rreth aktorit.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply