Fitorja e paharrueshme e “The Doctor”

0
547

Grand prix e Argjentinës, në pistën e Termas del Rio Hondo, 19 prill i 2015ës. Ndërsa para fillimit të garës, Valentino Rossi fliste me Yamaha-n e tij, pak më larg, Marc Marquez, gjendej i paduruar sipër Honda-s së tija në pritje të sinjalit të nisjes. “All or nothing” Marc Marquez, fillon furishëm dhe menjëherë merr kryesimin. Ka zgjedhur gomat e trasha me mendimin që të krijojë menjëherë distancë. Në fakt, deri nga mesi i garës fitorja duket e lehtë… Pikërisht aty, fillon të funksionojë strategjia e “The Doctor” i cili ka preferuar gomat e buta. Distanca kohore fillon e shkurtohet, gjithnjë e më shumë, më shumë, më shumë dhe Rossi afrohet. Gomat e Marquez tashmë janë shkatërruar. Është xhiro e fundit dhe i pari ka kaluar “Doktori”. Në një përpjekje të dëshpëruar dhe larg edukatës sportive, Marquez përpiqet të hedhë Rossin por, rrëzohet vetë duke humbur tërë pikët!

Valentino Rossi, gjendet në podium duke mbajtur veshur bluzën e Maradonës. Përshëndet triumfator me grushtin drejtuar botës ashtu si Diego në “Azteca” të Meksikës pas golit të dytë ndaj Anglisë! Tifozët e tij në Argjentinë dhe tërë botën kanë kaluar në ekstazë! 

Historia ka rezervuar një vend të veçantë për Grand Prix të Argjentinës 2015 si një më të bukurat e më dramatiket në historinë e Moto GP! Për këtë u kujdes personalisht “The Doctor”, Valentino Rossi!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here