FUTBOLL FINALJA E KUPËS SË REPUBLIKËS 1972 | “VLLAZNIA” FITUESE, R.RRAGAMI ARKITEKTI I SAJ!

0
905
Futboll-1972

Nga : Arian Muraj

Në të vërtetë, Besës vetëm një titull i mungonte që të mund të quhej zyrtarisht një fuqi e futbollit shqiptar. Vllaznia, Tirana, Skënderbeu, Partizani, Dinamo, ishin titullarët e Shqipërisë, në kupa dhe kampionate në palmarenë e tyre. Megjithatë, në atë fillim të viteve 70të, të tërë në qytet besonin se kjo, ishte thjesht çështje kohe.

Ekipi, i ndërtuar me shumë punë, talent dhe vizion modern prej Zihni Gjinalit dhe Bet Vilës, kishte mjaftueshëm futbollistë dhe skema për të sjellë një titull në qytet. Mund të duket e habitshme por brenda një kohe jo shumë të gjatë, Besa, zbatoi në fushë lojën me shumë pasa, atë që sot quhet ”cic-mic” dhe tashmë, krejt e përparuar për kohën përdorte me sukses ofsajtin artificial. Për të tjerat…? Një stadium dikur do të ndërtohej edhe në Kavajë, njeriu më i fuqishëm i vendit, Enver Hoxha, ishte deklaruar tifoz i Besës, Bashkia e Durrësit, se cilës Kavaja i përkiste ishte gjithnjë e gatshme për ndihmë. Ishte vetëm diçka, një pjesë e lojës së futbollit, penalltia, të cilën duket se për Kavajën ishte mallkimi i saj, pengesa e vetme dhe…e pakalueshme siç fati e solli të vërtetohej!

Nëntë vite më parë, mesfushori Ali Mema i K.F. Tirana (aso kohe 17 Nëntori), i gjendur portier si zgjidhja e vetme e ekipit të tija, gjatë ekzekutimit të penalltive, pret tre të tilla të gjuajtura nga T’habit Rexha, i heq Besës të drejtën e fitimit së Kupës së Republikës! Kupa shkon në Tiranë, edhe pse në ndeshjen e parë në Tiranë, Besa pati fituar 3-2, edhe pse në ndeshjen e dytë, të dy portierët e Tiranës, Metani dhe Beliu ishin të dëmtuar! A ishte ky një mësim? Një paralajmërim? Një kapriçio e fatit? Cfarëdo që të ishte, Besa, ishte aq afër titullit të parë.

Pas pothuaj dhjetë viteve, Besa është përsëri në finale, ka fituar ndeshjen e parë 2-0. Rezultati është më se optimal për të tilla evenimente, ekipi akoma më i mirë, madje, vjen në këtë finale, një vit pas finales së humbur për titullin Kampion i Ballkanit (1-2 dhe 1-1 ndaj Panionios, Greqi). Pikërisht prej kësaj finaleje, Leshteni, Kapidani dhe Feshti më vendim të Bashkisë Durrës, janë transferuar për të fuqizuar Besën. Gjithkush, me të drejtë mendon se erdhi dita që një titull të arrijë në këtë qytet!

Pakkush mban mend finalen e humbur prej penalltive nëntë vite më parë. Në fakt Besa, në gjysëm finale, pas dy ndeshjeve, 0-0 dhe 1-1, eliminon Dinamon pikërisht pas gjuajtjes së penalltive. Askush nuk mund ta imagjinojë cdo të ndodhë gjatë ndeshjes së kthimit të finales së Kupës së Shqipërisë te edicionit 1971-1972…

Futbolli në Shkodër, thuhet se u soll nga prifti maltez Gut Ruter më 1908. Mbase po, mbase jo por, ajo që sigurisht dihet, është krijimi i ekipit “Indipendenca” prej Palokë Nikës më 1912. Ndeshja e ekipit të parë të formuar në këtë vend, “Indipendencës” së Shkodrës, është më përfaqësuesen e marinës luftarake të forcave austrohungareze të vendosura në Shkodër. Historia e futbollit të Vllaznisë por edhe e futbollit shqiptar nis prej këtu. Në një përballje me austriakët siç thuhet rëndom, e vështirë edhe sot të përmendet si austro-hungari por në rastin e Vllaznisë, kishte, për historinë, ka edhe këtu diçka si një ogur: Austria! Qyteti prej nga ku fillon futbolli shqiptar, i është gëzuar një titulli, për herë të fundit 26 vite më parë. Ishtë koha kur Vllaznia fitonte dy kampionatet e para të paraluftës, ato të viteve 1945 dhe 1946. Është koha që më në fund, Shkodra ti gëzohet një titulli. Është koha kur superfuqitë e kryeqytetit, janë dorëzuar ndaj rretheve.

Në fakt, Vllaznia dhe Besa, me ndryshimet e tyre gjeografike, ngjan se sjellin tërë Shqipërinë në një finale. Rezultati i ndeshjes së parë në Kavajë, nuk lë shumë shpresa por, kjo Vllazni, nuk mund të parashikohet. Për hir të së vërtetës, ka nje kuartet te perkryer lojtaresh “fuoriclasse”, duke nisur me portierin Ndoja dhe tre te tjeret te cilet në fakt, janë zemra e Kombëtares së Shqipërisë: Sabah Bizi, Medin Zhega dhe Ramazan Rragami! Po aq lart të tjerëve dhe po aq potentë për Vllazninë sa edhe tre hollendezët Gulit, Rijkard dhe Van Basten të Milanit! Vllazninë e vitit 1972 nuk mund ta parashikosh! Edhe pse në finale nuk do të jetë Din Zhega. Pse flasim për një Vllazni të tillë, ishte llogjike që më shumë se 13.000 spektatorë të mbushnin tej kapacitetit stadiumin Vojo Kushi në orën 15.30 të 23 Prillit 1972.

Për ta, 90 minutat e mbetura të cilat fillonin me rezultatin 0-2 ishin të mjaftueshme që Vllaznia të rikuperonte rezultatin e në fund të ngrinte kupën. Sepse përveç Bizit e Rragamit në fushë gjendeshin edhe Sait Canga, Suad Duraj, Leke Koçobashi, Hoxha, Ç.Ndoja etj. Të tërë një brez i artë futbolli shkodran.

Pjesa e parë është një monolog i gjatë i sulmit shkodran me mbrojtjen kavajase. Ndoja paralajmëron duke goditur tranversën e Besës brenda 20 minutave të para. Në 31′, durrsaku i Besës, Feshti, gabon në dalje gjatë një krosi. Topi përfundon tek i rrezikshmi Çesk Ndoja, ai gjuan menjëherë drejt portës dhe Dyla përdor dorën për të evituar golin! Penallti! E para! Ramazan Rragami, në ditën më të madhe të karrierës së tij, ashtu siç ai di, me përqëndrim, besim në vete dhe i matur edhe tek hapat që hedh drejt topit, gjuan fort, anash dhe shënon. 1-0 për Vllazninë.
Penalltia e parë e finales së dytë, rezulton e suksesshme për Vllazninë dhe Rragamin! Është 1-0, kanë mbetur akoma 60 minuta lojë që Besa të fitojë kupën e parë apo Vllaznia të fitojë kupën e dytë të saj. Ramazan Rragami ka hedhur vetëm hapin e parë drejt një rekordi botëror mbase…

Besa edhe në pjesën e dytë i beson përsëri mbrojtjes. Vllaznia tenton pafundësisht sulmin. Janë më pak se pesë minuta lojë dhe dy herë mbrojtësi Qerolli, në vijën fatale u mohon golat Hoxhës dhe Bizit. Në të 54′, durrsaku Kapidani, ndërpret në mënyrë të gabuar Hoxhën dhe për arbitrin Ramiz Pregja është penallti. Rragami vihet përsëri përballë Feshtit…dhe përsëri shënon, 2-0! Rezultati i përgjithshëm është i barabartë dhe, i barabartë do të mbetet deri në fund. Megjithë frymëzimet e Sabah Bizit e përpjekjet e Ç. Ndojës, Rragamit dhe Hoxhës, rezultati nuk ndryshon deri në fund. Vërshëllima e fundit e Ramiz Pregjës, në finalen e dytë të saj, dërgon Besën, për herë të dytë gjithashtu tek penalltitë.

Vllaznia dërgon Ramazan Rragamin. Ka shënuar dy penallti gjatë 90të minutave dhe ka sjellë Vllazninë deri këtu. Ka edhe pesë penallti akoma për ti dhënë titullin…dhe do ti shënojë që të pesta! Sikur të zbraste një pistoletë, Ramazan Rragami qëlloi shtatë herë dhe nuk gaboi në asnjë. Për të kuptuar më mirë, Rragami i vetëm, shënoi më shumë se sa Hollanda kundër Italisë në një ndeshje të ngjashme për nga numri i penalltive gjatë Euro 2000 ose, mendoni sikur Barcelona kundër Steaua-s, të kishte një lojtar si Rragami për të gjuajtur penallti… Që nga ajo ditë, Vllaznia fitoi edhe tituj të tjerë, kupa e kampionate por Rragami i përket historisë botërore të futbolli. Që nga ajo ditë – siç një figurë e njohur pati profetizuar ”gjysma e spektatorëve të sotëm në stadium do kenë vdekur por lijtarë si Zani, Dini edhe Sabahi nuk do të shohin më” – kanë kaluar pothuaj 40 vite dhe…akoma lojtarë si Ramazan Rragami, Medin Zhega dhe Sabah Bizi nuk janë shfaqur më. Vllaznia, si ekip i shkëlqyer, atë vit fiton edhe kampionatin duke u bërë i parë ekip shqiptar që realizon dopietën! Tendencat komuniste, për shkaqe krejt absurde, e dënojnë të marrë pjesë në kompeticionin e Kupës ës Kampioneve ku do të ndeshej më Rapidin e Vjenës. Austria! Besa, nga rrethanat krejtësisht të papritura por njëkohësisht edhe duke e merituar, do të luajë në Europë e do të kalojë turin e parë të Kupës së Kupave ndaj BK Fremad Amager të Danimarkës.

Vllaznia e bukur e futbollit shqiptar, pa humbur akoma shkëlqimin e saj, pas një pauze në nivel kombëtar të përfaqësimeve në kompeticione ndërkombëtare, do të jetë e para nga ekipet shqiptare që do të luajë në Europë, në vitin 1978. E në këtë rikthim të Shqipërisë në këto kompeticionë dhe ekipit të Shkodrës atje ku i u mohua para gjashtë viteve, në ” Vojo Kushi ” Vllaznia do të fitojë 2-0 ndaj Austrisë së Vjenës. Austria përsëri! Çfarë koencidencash kokëforta! Besa dhe Vllaznia, pas nëntë vitesh, u gjendën përsëri kundërshtarë në finalen e Kupës së republikës në vitin 1981. Besa fiton përsëri ndeshjen e parë në Kavajë, 2-1. Pas finales së dytë në Shkodër, Vllaznia duke fituar 5-1, ia merr përsëri kupën. Deri më sot, ashtu si edhe për finalen e vitit 1972, opinioni futbolldashes Kavajas akuzon gjykimin si fajtor për këtë… Përfundimisht, në qytetin e Kavajës, kupa e parë, do të arrinte pas plot 35 vitesh, në vitin 2007!

Shkoder, 23 prill 1972. Ne stadiumin “Vojo Kushi”
Vllaznia – Besa 2-0 (0-2) P: 5-3
Skuadrat zbriten ne fushe me keto formacione:
Vllaznia: P.Ndoja – Basha, Duraj, Canga, Dedja – Bizi, Leka, Rakiqi (Kocobashi) – R.Rragami, Hoxha, C. Ndoja.
Tr. Xhevdet Shaqiri
Besa: Feshti – Mullaliu, (Shyti), Kapidani, Dyla, Mili – Kariqi, Qerolli, Kashami, Pagria – Merhori, Bishtaja
Tr. Muhamet Vila
Gjyqtaret: Ramiz Pregja, kryesori (i kategorise nderkombetare), ndihmesa Haxhi Pellumbi dhe Tomson Neviri
Penalltite:
R. Rragami (Vllaznia) 5 te realizuara.
Merhori (Besa) 3 te realizuara.
____________________________
Solli per faqen: Arian Muraj, ktheu ne anglisht: Pjerin B
25 nentor 2020 / Vizion Sportiv / Ora e Kampioneve.
Copyright © protection


Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply